“Të ushqyerit” është platformë e të ushqyerit të drejtë, dietave të balancuara, rekomandimeve ushqimore dhe çdo gjëje tjetër rreth ushqimit, e krijuar nga studentët e programeve “Teknologji ushqimore dhe bioteknologji” dhe “Shkenca ushqimi” të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ndonëse kjo ide ishte e kahmotshme, platforma erdhi në kohën e pandemisë së virusit COVID-19, si një nevojë e të ushqyerit të drejtë në një periudhë kur qytetarëve po iu kufizohet lëvizja e lirë.
Krahas masave të higjienës dhe distancimit social, të rekomanduara nga institucionet kompetente, si masë shtesë në mbrojtjen ndaj infeksioneve është edhe të ushqyerit e drejtë, gjë e cila ndikon në sistemin imunitar. Për t’i udhëzuar qytetarët rreth asaj se si duhet të ushqehen, informatat janë siguruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Food and Agriculture Organization –FAO si dhe ekspertiza e profesorëve të Fakultetit të Bujqësisë dhe të Veterinarisë.
Qëllimi
Publikimi i informacioneve të bazuara shkencërisht rreth ushqimit dhe mënyrës së të ushqyerit të drejtë;
Zhvillimi i videomaterialeve vetëdijesuese rreth ushqimit dhe të ushqyerit;
Rekomandime se si duhet ushqyer në këtë kohë pandemie, me qëllim forcimin e sistemit imunitar të njerëzve;
Zhvillimi i kapaciteteve të programeve të shkencave ushqimore të FBV-së dhe adresimi i problematikave që ndërlidhen me çështjen e sigurimit të ushqimit në situata të emergjencave dhe katastrofave natyrore;
“Të ushqyerit” të jetë referencë drejt një jete më të shëndetshme.
Vizioni
Vizioni ynë është që kjo platformë të shërbejë si shteg komunikimi me publikun mbi të dhënat e dala nga hulumtimet dhe kërkimet e studentëve, në bashkëpunim me stafin akademik, të dhëna të cilat mund të jenë në interes të përgjithshëm shoqëror. Poashtu, ne synojmë që kjo platformë të shndërrohet në një dritare informimi për mënyrën e të ushqyerit, mënyrë e cila ndikon në jetën e secilit.