“Të ushqyerit” është platformë e të ushqyerit të drejtë, dietave të balancuara, rekomandimeve ushqimore dhe çdo gjëje tjetër rreth ushqimit, e krijuar nga studentët e programeve “Teknologji ushqimore dhe bioteknologji” dhe “Shkenca ushqimi” të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ndonëse kjo ide ishte e kahmotshme, platforma erdhi në kohën e pandemisë së virusit COVID-19, si një nevojë e të ushqyerit të drejtë në një periudhë kur qytetarëve po iu kufizohet lëvizja e lirë.
Krahas masave të higjienës dhe distancimit social, të rekomanduara nga institucionet kompetente, si masë shtesë në mbrojtjen ndaj infeksioneve është edhe të ushqyerit e drejtë, gjë e cila ndikon në sistemin imunitar. Për t’i udhëzuar qytetarët rreth asaj se si duhet të ushqehen, informatat janë siguruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Food and Agriculture Organization –FAO si dhe ekspertiza e profesorëve të Fakultetit të Bujqësisë dhe të Veterinarisë.